Nuk e zgjidh situatën tuaj të rëndë kërkesa ndaj gazetarëve për t’i thënë nëse e ka bërë mirë, apo keq, punën e tij. Përkundrazi mundohuni të mos i mbuloni problemet e të mos ia mbyllni gojën të tjerëve…
Për të ardhur keq, por në Federatën Shqiptare të Basketbolli, pas çdo gjëje të botuara nëpër media, që nuk i ka ardhur pas “oreksit” të drejtuesve të koshit shqiptar, të tingëllojnë telefonat për të thënë dhe për të dhënë mendje nëse ishte mirë, apo ishte keq. E në të tilla kushte, s’ka mbetur gjë tjetër, por ne si gazetar, pas lejes nga drejtuesit e gazetave tona, duhet të marrim dhe një leje tjetër, pse jo dhe një “vizë”, për të pyetur Federatën Shqiptare të Basketbollit se çfarë duhet të shkruajmë ne për basketbollin shqiptar.
Ore me të vërtetë, këtë po ja kërkoj dhe lexuesve, na sugjeroni se çfarë duhet të shkruajmë ne për basketbollin… Më duket se jetojmë në demokraci, atje ku askujt nuk mund t’i mbyllet goja për të thënë atë që mendon, sidomos kur bëhet fjalë për kombëtaren e basketbollit shqiptar, e cila, për shumë e shumë arsye, mungon në kualifikueset e Kampionatit Evropian “Ukrainë 2015”.
Nëse në Federatën Shqiptare të Basketbollit kërkojnë t’i bëjnë gjërat me rreth të ngushtë, basketbolli dhe komuniteti i saj është më i gjerë. Dhe për rrjedhojë, mirë, apo keq, ka secili të drejtën të thotë mendimin e tij. Në të vërtetë kemi harruar të themi që analiza vjetore e Federatës Shqiptare të Basketbollit, e zhvilluar në Shkodër në ditët e finaleve të Kupës së Shqipërisë, meshkuj e femra, më shumë se anëtarë e delegat kishte karrige bosh (?!).
Dhe kësisoj analiza vjetore ka qenë më shumë se sa formale, ashtu siç ka qenë edhe deklarata e Komitetit Drejtues, që ka mbërritur në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës, atje ku më shumë justifikonte, se sa nxirrte aksione veprimi për ta rifutur kombëtaren e basketbollit përsëri në parket. Sepse dy vjet mungesë kombëtarja e meshkujve në veprimtaritë ndërkombëtare, por tre vjet kombëtarja e femrave, janë një minus i madh për Federatën Shqiptare të Basketbollit. Që as më pak e as më shumë e kthejnë atë në jo ligjore.
Një paligjshmëri e juaja është formalitet për ne për të bërë detyrën e informimit për të gjitha gjërat që nuk shkojnë në basketbollin shqiptar, qoftë dhe nëpërmjet deklaratave së të gjitha palëve pa “dallim feje, krahine dhe ideje…”. Sepse për hir të së vërtetës duhet pranuar se gjendja në basketbollin shqiptar nuk është aq rozë sa ç’kërkojnë ta bëjnë drejtuesit e basketbollit, që mundohen ta mbajnë gjithçka në një rreth të ngushtë.
Dhe atëherë kur del diçka që nuk shkon, ato që janë armiqtë më të mëdhenj të kësaj Federate, janë gazetarët. Por e nderuar Federatë, “dielli nuk mbulohet me shoshë”. Sigurisht që planet për perspektivën, apo të ardhmen e basketbollit duhet t’i kishit bërë dhe më parë. E shyqyr që jeni kujtuar se duhet dhe kombëtarja U-14, U-16 dhe U-18, megjithëse duhet të ishte për të dy sekset, ashtu sikurse duhet të ishte dhe U-20, sepse kualifikueset luhen dhe për këtë grupmoshë.
Dhe diçka, nëse financiarisht Federata Shqiptare e Basketbollit qenka si mos më keq, si ka mundësi që pranohet të merret trajner malazez për kombëtaren e gjashtëmbëdhjetëvjeçarëve, të cilët kanë nisur dhe nga përgatitjet treditore në Malin e Zi? A nuk është kosto shtesë dhe një vajtje dhjetëditore në Strumica të Maqedonisë për këto kualifikuese, kur fati i gjërave dihet ende pa hyrë në parket? Është thënë në komunikatën për shtyp të Komitetit Drejtues për një analizë të hollësishme së të gjitha kombëtareve.
Një gjë duhet pasur parasysh, analizat o bëhen menjëherë pas aktiviteteve ndërkombëtare, ose nuk bëhen fare. Dhe ka të ngjarë që edhe pas asaj deklarate për shtyp, nxitimthi në mbrëmjen e së mërkurës, të mos merret më njeri me ato që kanë ikur. Nëse duhet të vazhdojmë dhe t’i hyjmë të gjitha aktiviteteve kombëtare, që në një farë mënyre dhe ajo deklaratë e Ermal Kuqos në “Procesin sportiv” është e vërtetë kur fituesi dihet ende pa nisur kampionati, atëherë ajo çfarë duhet shkruar është shumë e gjatë.
Pasi në dy edicione, play-off i të rinjve për titull kampion ka pasur sherre dhe goditje të gjyqtarëve, por askush nuk reagon. Në garën e kampionatit, të paktën deri në sezonin e kaluar, kanë qenë të shumta raste e fyerjeve dhe goditjeve të gjyqtarëve, por askush nuk reagon. Pra një mal me probleme, që nuk gjejnë asnjëherë zgjidhje, por mbyllen shpejt e shpejt dhe këtu është kënaqësia e Federatës Shqiptare të Basketbollit, sepse duket sikur gjërat për të janë normale. Janë krejtësisht anormale, që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse dëmtojnë imazhin e basketbollit shqiptar.
Që ka nevojë për përmirësim e jo për mbyllje gojësh dhe fshehje të problemeve. Kështu që, edhe me të drejtën kushtetuese të informimit për popullin e thjeshtë, një lutje për Federatën Shqiptare të Basketbollit, na thoni çfarë duhet të shkruajmë për këtë sportin tuaj që lëngon prej shumë vitesh. Dhe vetëm në këtë pikë keni të drejtë, sepse lëngon i gjithë sporti shqiptar. Në të tjerat nuk ka njeri t’ju justifikojë…