Superkupa e basketbollit kthehet në festë, por dhe në debate për gjykimin e finaleve
Për vlonjatet e Viron Toskës është kërkuar koha shtesë, Karaj merr përsëri kamzalinjtë
Flamurtari – Apolonia 87-83
(17-13, 23-19, 15-20, 19-22/13-9)
Flamurtari: K.Hasanaj (3), Kostallari (12), Plasa (29), Qypi (14), Zykaj (27)/Myrto, Palko (2) Trajner: V.Toska
Apolonia: Aliaj (8), Dishnica (7), Mehmeti (11), Semanjaku (19), Xhanaj (22)/Demiraj (8), Memçaj, Ustalli, Perqyku (8) Trajner: A.Greva
Gjyqtarë: E.Koçi, G.Hoxha, E.Allaraj (Tiranë)
Vllaznia – Kamza Basket 58-67
(12-13, 16-7, 14-23, 16-24)
Vllaznia: Arra (4), Bërdica (22), Ndoja (10), Bekteshi (10), Shaqiri (3)/Faslija (2), Llazani (5), Rakaj, Taraboshi, Huti (2) Trajner: B.Gjeçaj
Kamza Basket: Shestani (14), Ndreko (6), Muhametaj (4), Karaj (26), Daliu (10)/Birçaj (2), Gjoka (5), Hoxha Trajner: A.Muhametaj
Gjyqtarë: G.Cici, E.Koçi (Tiranë), E.Hoxhaj (Vlorë)
Flamurtari dhe Kamza Basket janë fituesit e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj dhe femra, ndërsa finalet e luajtura dje në mbrëmje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” jo vetëm që kanë qenë të forta dhe më pas të kthyer në festë për skuadrat fituese, por kanë ndezur debatet nga humbësit ndaj gjykimit të ndeshjeve. Ndonëse për finalet ishin zgjedhur gjyqtarët më të mirë të basketbollit shqiptar, si dhe ato që janë ndërkombëtar. Në finalen e femrave është dashur koha shtesë, kurse tek meshkujt ka spikatur Erkand Karaj, i cili me trepikëshat e tij është bërë vendimtar për Kamza Basket, që kështu e ka fituar për herë të tretë radhazi Superkupën e Shqipërisë.
Nuk kanë munguar në këto finale jo vetëm figurat më të ndritura të basketbollit shqiptar të tilla si Viktor Papavangjeli, Vaso Shaka, Spiro Kuvarati, por dhe krerët e koshit shqiptar. E kjo që nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, sekretari i përgjithshëm Korab Llazani, si dhe anëtari i kryesisë së koshit shqiptar, Bashkim Milo. Jo vetëm kaq, por kanë qenë të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo, dhe ai i Kamzës, Xhelal Mziu. Si dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të shtetit, Bujar Leskaj. Pra dy finale Superkupe që kanë mbledhur kaq shumë VIP-a, tifozë, gazetarë e kamera.
Flamurtari e ka një emër, Elektra Zykaj
Nëse Flamurtari dje ka qenë fituese e Superkupës së Shqipërisë dhe kjo për të njëmbëdhjetën herë ka pasur një emër, Elektra Zykaj. Lojtarja e ardhur nga Tirana, pa harruar lojën e mirë të Plasës, apo dhe Qypit e Kostallarit, është bërë vendimtare me trepikëshat e saj. Flamurtari e ka nisur mirë ndeshjen, teksa ka fituar dy periodat e parë dhe me një avantazh prej 8 pikësh diferencë ka shkuar në dhomat e zhveshjes me fitoren, 40-32. Por fillimi i periodës së tretë është marramendës për kampionet në fuqi. Mehmeti dhe Semanjaku, apo dhe Demiraj përmbysin gjithçka me trepikëshat e tyre. Me një avantazh të pjesshëm 2-18, Apolonia është në avantazh 42-50.
Por Flamurtari nuk dorëzohet dhe ka arritur që në fund të periodës së tretë, pavarësisht se fieraket kanë fituar 15-20, të jetë përsëri në avantazh 55-52. E katërta është një luftë nervash. Xhanaj është e fuqishme në depërtimet e saj, por në krahun tjetër dhe vlonjatet nuk dorëzohen. Aq sa fundi i ndeshjes i ka ndarë në barazim 74-74. Kostallari me një krah dhe Aliaj në krahun tjetër e kanë lënë ndeshjen më shpejt se të tjerat, sepse kanë plotësuar numrin pesë të gabimeve personale. Në kohën shtesë, edhe me petkun e kampionit, Flamurtari nuk fal më. Dhe në fund fiton 87-83 duke bërë të veten Superkupën e Shqipërisë.
The post Trofe për Flamurtarin e Kamza Basket appeared first on Sporti Shqiptar Online.